Beqaj ironi me Metën për kthimin e ligjit: Po ju thërras në emër së “president” nuk është shqip

Deputeti Ilir Beqaj gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka ironizuar argumentin e presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend të ligjit “Për aktivitetet e turizmit detar” me pretendimin se ka fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe.

Beqaj thotë se ka shumë fjalë që nuk janë të origjinës shqipe, por përdoren në përditshmëri, pasi vetë shqipja si gjuhë ka mbijetuar në shekuj sepse është zhvilluar, përshtatur dhe pasuruar.

Ai i drejtohet kreut të shtetit me mbiemrin e tij, pasi thonë se në këtë rast as fjala president nuk ka origjinë shqipe.

“Kryetari i Kuvendit na ka njoftuar se ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar”, me nje dekret të tij, Presidenti i Republikës e ka kthyer për rishqyrtim.

Presidenti i kërkon Kuvendit të bëjë më kujdes në ruajtjen e gjuhës shqipe, duke ilustruar me faktin që fjala “surf” nuk është shqip.

Kryetar, kuvend, ligj janë jo vetëm fjalë të gjuhës shqipe, por janë fjalë shqip. President, republikë, dekret janë fjalë të gjuhës shqipe, por nuk janë fjalë shqip.

Shqipja është gjuhë amtare e më shumë se 10 milionë njerëzve në të gjithë botën dhe është gjuhë zyrtare në 4 shtete. Ka mbijetuar në shekuj sepse është zhvilluar, përshtatur dhe pasuruar.

Zoti President! Duke ju kërkuar ndjesë publike në vijim të kësaj fjale do t’ju drejtohem me emër dhe jo me titull. Duke qenë se “President” nuk është fjalë me origjinë shqipe, druhem se mos lëndoheni.

Zoti Meta, unë kam luajtur sport disa vite. Edhe ju jeni marrë me sport. Fjala “sport” nuk është fjalë shqipe. Por ja që kështu i thonë në anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, serbo-kroatisht, greqisht, turqisht. Si ta bëjnë të gjithë ata vajza e djem që merren me sport?

Unë kam luajtur basketboll. Serbët i thonë “kosharka”, italianët “palacanestro”, grekët “kallathosferisi”. A ti themi edhe ne shqiptarët “top e shportë”? A të themi se Agim Fagu është sportisti më i famshëm shqiptar i “top e shportë”. Mundet. Por këtë nuk e vendos politika, por shkenca.

Zoti Meta, së fundmi ju keni shfaqur publikisht simpatinë për një skuadër të huaj futbolli. Futbollit në serbisht i thonë “nogomet”, në greqisht i thonë “podhosferi”. Po të shqipërosh, në të dy gjuhët do të thotë “top e këmbë”. A t’i themi edhe ne shqiptarët kështu? A të themi se Loro Boriçi është sportisti shqiptar më i famshëm i “top e këmbë”? A të themi se presidenti i Shqipërisë është simpatizant i skuadrës së “top e këmbë” të Sëlltik-ut? Mundet. Por këtë nuk e vendos politika, por shkenca.

Zoti Meta, Ju keni dyshime nëse duhet të thuhet “surf” apo “sërf”. Mund të keni të drejtë, por kjo nuk është çështje e politikës.

A duhet të themi ne “presidenti Klinton” apo “presidenti “Clinton”?

A duhet të themi “kryeministri Xhonson” apo “kryeministri Johson”?

A duhet të themi ne “presidenti Makron” apo “presidenti Macron”?

A duhet të themi “Selltik” apo “Celtic”?

Është çështje e shkencës. Ju, më së pari, duhet të përpiqeni që politika të rrijë larg shkencës. Më së pari, ju duhet të ushtroni edhe kompetencat tuaja e t’i kërkoni Akademisë së Shkencave të bëjë detyrën e saj.

Zoti Meta, së fundmi, krejt haptazi, ju po përpiqeni të komprementoni procesin ligjhartues në Shqipëri. Ju nuk mund të jeni njësi kodifikimi. Mesa duket rregullimi i kompetencave të presidentit të Republikës me një ligj të veçantë është bërë domosdoshmëri. Do t’i kërkoj grupit tim parlamentar ta shohë me përparësi në programin e punës së Kuvendit në sesionin që do të çelet në shtator. Ai ligj le të hyjë në fuqi në shtator 2022 kur të ketë filluar mandati i presidentit të ardhshëm të Republikës.

Zoti Meta, politika shqiptare e 30 viteve të fundit i ka shumë borxhe Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një nga borxhet më të mëdha është mosshfrytëzimi sa e si duhet i detit. Më së shumti kemi shfrytëzuar bregdetin, edhe atë barbarisht në jo pak raste. Detin ia kemi lënë botës së paligjshmërisë. Është mëkat të shohësh gjirin e Vlorës sot bosh. Para 30 vitesh e ndalonte shteti. Po sot kush e ndalon?

Zoti Meta, Ju keni 30 vite në politikë aktive. Unë kam 11 vite. Por edhe 11 nuk janë pak. Sot unë u kërkoj ndjesë publikisht shqiptarëve që, deri më sot, nuk kam mundur të ndikoj në zhvillimin e industrisë së detit dhe të përshëndes qeverinë për ligjet e përpiluara së fundmi. Me votimin kundër dekretit tuaj sot, të paktën mbështes fillesat e ngritjes së industrisë së detit në Shqipëri.

Edhe vajzës sime më duhet t’i kërkoj ndjesë. Një nga stërgjyshët e saj është ulqinak. Ulqinakët i kanë rënë detit kryq e tërthor nga lashtësia deri në vitet 30-të të shekullit të kaluar.

Zoti Meta,  “Surf” i thonë edhe italianët, edhe francezët, edhe grekët. Megjithatë, nëse ju do të mund të gjeni një mënyrë që të na tregoni se kush mund të ishte fjala e duhur shqipe në vend të “surf”, unë mund të marr në konsideratë të thyej vendimin e grupit e të mbështes dekretin tuaj”, tha Beqaj./abcnews.al

The post Beqaj ironi me Metën për kthimin e ligjit: Po ju thërras në emër së “president” nuk është shqip appeared first on Abc News.