Ditari i panjohur i Lasgush Poradecit, shkruan: “Unë jam një tip i çudtishëm, jam i lirë”

Është gjithnjë befasi, pothuaj e papërfunduar, sa herë lexojmë diçka origjinale nga Lasgush Poradeci, qoftë poezi, apo ditarë – si dy letrat që ka publikuar pak kohë më parë, e bija e Lasgushit, Marija. Herë pas here ajo e mban gjallë lexuesin, e sidomos me këtë ushqim shpirtëror të epërm, pasionantët e gjuhës së lirë të poetit. Në këtë rast shkojnë dhe dy letrat që po botojmë, që mbajnë datën e hershme të viteve 1945 dhe 1972, të shkruar në dy kohë të rëndësishëme. E para kur sapo ishte vendosur regjimi komunist, dhe në të dytën kur shqiptarët ndjenin një farë atmosefere lirie por, në fakt, ishte instaluar përfundimisht regjimi dikatorial dhe tashmë ishin ekzekutuar intelektualë e shkrimtarë, politikanë e tregtarë dhe vendin po e qeverisnin hienat e komunizmit

 

 

Është gjithnjë befasi, pothuaj e papërfunduar, sa herë lexojmë diçka origjinale nga Lasgush Poradeci, qoftë poezi, apo ditarë – si dy letrat që ka publikuar pak kohë më parë, e bija e Lasgushit, Marija. Herë pas here ajo e mban gjallë lexuesin, e sidomos me këtë ushqim shpirtëror të epërm, pasionantët e gjuhës së lirë të poetit. Në këtë rast shkojnë dhe dy letrat që po botojmë, që mbajnë datën e hershme të viteve 1945 dhe 1972, të shkruar në dy kohë të rëndësishëme. E para kur sapo ishte vendosur regjimi komunist, dhe në të dytën kur shqiptarët ndjenin një farë atmosefere lirie por, në fakt, ishte instaluar përfundimisht regjimi dikatorial dhe tashmë ishin ekzekutuar intelektualë e shkrimtarë, politikanë e tregtarë dhe vendin po e qeverisnin hienat e komunizmit. Ashtu siç na i sjell Maria, botojmë të plota këto dy letra si më poshtë:

***

Tiranë, e Mërkurë 24 Tetor 1945:

Ora 11 isha ne Ministri i Kulturës Sejfulla Malëshova, i shpura materialin e vëzhgimeve të mija mi Naim Frashërin për botim kritik të lirikës së Naimit. “Botim kritik” i thashë “s’mund të bëhet, dyke mos patur dorëshkrime të mjaftuarshme. Do të bëj vetëm një botim kriteri” i thashë, siç e kisha parashtruar dhe në raportin t’im përpara se të vete në Poradec.

Pastaj në lidhje me vjershën që kish botuar jashtë më 1928 dhe e botoj dhe tashi mora fjalën dhe i thashë: “Do të ishte një çnderim për mua sikur t’ju nderonja se jeni ministër, po unë ju nderoj dhe ju pyes në cilësinë t’uaj si vjershëtor. Juve kini bërë një gabim në poezinë t’uaj që rishtyptë tashi kundër meje, sepse gjërat që thoni atje kundër meje nuk i përgjigjen të vërtetës po përkundër. Kur është jashtë njeriu, mund të gabohet dhe ju ishit atëhere jashtë. Po tashi që gjindeni në Shqipëri dhe që jeni në gjëndje të kontrolloni jetën t’ime me shumë lehtësi, të afirmohet një mos-e vërtetë për mua, s’është liri po robëri. Sejfullaj: “aty (në poezi) unë nuk them si ishit, si jini, po si do bëheshit”, Unë: “Po juve në atë poezi thoni: “të blenë me para”, “të futnë në kuvli”, dhe në shënimin që i kini bërë vjershës simvjet më 1945 thoni: “hyri në pellgun oportunist”, dhe “u bë poet dallkauk”, dhe shënoni vetë që vjersha është shkruar më 1928”. “Juve thoni ashtu, po mua s’më ka blerë kurrë njeri as me para as pa para, as jam futur në kuvli, as kam qënë as do jem oportunist, as jam bërë as do bëhem dallkauk, po kam rrojtur dhe rroj si njeri i thjeshtë dhe i ndershëm vetëm me rrogën t’ime, si profesor që jam emëruar në bazë të dipllomës s’ime. Unë as e njihja Zogun as s’e njoha kurrë ndonjë herë, as shkela ndonjë herë në Parlament, po rrojta gjithnjë i tërhequr, si kurdoherë sipas naturës s’ime; nuk shkrojta kurrë as për Zogun as për ndonjë tjetër siç bënin të tjerët si p.sh. A. A. që ish ministër dhe i bënte poezi Zogut, si F V. që ish deputet dhe i bënte edhe ay Zogut poezi. Ato poezi quhen dallkaukllëk, oportunizmë, kuvli, jo poezia ime që fluturon e pastër dhe e lirë përmbi dobitë dhe vogëlsirat njerëzore. Poezia për mua është lirija absolute e shpirtit dhe një poezi që futet në relativitetet e shoqërisë dhe të kohës, në dallkaukllëk që d.m.th. politikë humbet karakterin e lirisë suverante të shpirtit – konditë sine qua non e artit të vërtetë. Unë nuk e lejoj veten që ta ve poezinë t’ime në shërbim të kontigjencave shoqërore, sepse unë jam një tip i çuditshëm, jam i lirë. Mua njeriu mund të më vjedhë 100, 200, 300 napolona, sikur t’i kisha , po karakterin t’im si njeri, si artist independent, s’m’a vjedh dot, s’m’a merr dot kurrë! S’m’a ble dot njeri kurrë!”

Sejfullaj tha: “do flasim një herë tjetër më nge” dhe unë ika dhe hyri Gjeneral Kolonel Koçi Xoxe.

Lasgush

***

Tiranë, e Djelë 9 Janar 1972:
U takova me 4 kosovarë 30-35 vjeçarë, intelektualë të ardhur prej Kosove për qëllime kulturale, pas 2 javë, më tha njëri, do shkojmë për në Kosovë. Nuk më njihnin personalisht, u entuziazmuan që më njohë, njëri poet më tha: “jeni i adhuruar në tërë Kosovën, rinija entuziazmohet me juve, ju-a kemi botuar në Kosovë të 2 volumet e poezive”. Njëri prej tyre më tha: “Ky është poet, ka qënë nënë influencën tuaj, ju ka imituar etj”. Ay më tha: “e kam për nder të jem influencuar prej Lasgushit”. Unë: “s’ka influencë, nuk lot rol influenca në poezi, në krijimin artistik. Influencë, imitacion, plagjiat, reminiscencë, çdo referencë ose lidhje ose relacion etjerash si këto terma, nuk ekzistojnë në poezinë e vërtetë. Poezi e vërtetë quhet një poezi, e cila është origjinale. Poezi origjinale është ajo poezi, e cila, gjith dyke qënë tangjente me poezinë e tjetrit, e ka përdorur atë tangjente vetëm si material brut, si lëndë e parë, por prej kësaj materjeje prima ka krijuar një origjinalitet fondi dhe forme dhe stili t’atillë, sa ajo del me atë origjinalitet të krijuar prej poetit, si një poezi më vete, si një krijim i ri, krijim që s’mund t’i-a gjesh shëmbëllën në tjetër poezi, sepse ajo tashi është një gjë më vete, një kontribut i ri në gjithë poezinë ekzistente. Me këtë origjinalitet, ajo e justifikon veten të ekzistojë midis similareve të saj, si krejt indipendente.
Similar s’do me thënë identik, po kategori e veçantë dhe veçantinë e saj i-a kërkon origjinaliteti i saj, origjinalitet fondi, forme, shprehjeje, stili, dhe sipër së gjithash koncepsioni – të gjitha këto të pakraharsueshme aspak me poezi tjetër. Krijimi i ri nuk tutet prej krijimeve anàs, d.m.th. prej similareve, prej similiaritetit. Këto dhe shumë të tjera shpjegime i thashë poetit kosovar rreth imitacionit, influencës që siç tha ay tjetri koleg i tij ishte prej Lasgushit. Ay (më vjen keq që s’ja mora emrin) mbeti i kënaqur, dhe fitoj kurajë prej shpjegimeve të mija, u duk nga fjalët që më tha pastaj – dhe unë i thashë duke e kurajësuar zemërbardhësisht: “bëni poezi, krijoni poezi, mos kini frikë prej poezisë së Lasgushit, sepse duke qënë i zoti të krijojë njeriu poezinë e tij, origjinale, siç thamë s’trembet prej tjetrit.
Ay që krijon një krijim të ri, nuk trembet prej tjetrit, sepse krijon një gjë të re. Si të trembet krijonjësi prej krijesës së tij, prej krijesës së tij të re, origjinale? Poeti, kur është i zoti të krijojë një poezi të re sipas këtij principi që është i vetmi princip poetik nuk ka frikë, s’trembet prej krijimit të tij, por përkundër, gëzohet dhe gëzohet me gëzim të madh, me gëzim të madh sepse i fal botës një gëzim të ri, një gëzim tjetër midis gëzimeve të tjera, dhe ay që i fal tjetrit një gëzim të ri s’trembet prej kësaj të falure prej kësaj dhurate po gëzohet me gëzim absolut për gëzimin absolut d.m.th. gëzimin origjinal që ay i fal të tjerëve nga zotësija e tij. Tashi ne mund të themi në këtë akord të tjera, po njësoj janë tërë të tjerat, esencial, ecenca e poezisë është poezia origjinale, d.m.th. origjinaliteti poetik.