Kthyen magazinë në laborator kanabisi në Kurbin, arrestohen 1 person dhe shpallet në kërkim 1 tjetër

Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Kurbin, operacioni policor antikanabis i koduar “Gjormë 2021”.

Policia zbulon brenda një magazine, një ambient të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.

Sekuestrohen një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Gjormë 2021”.

Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 24 vjeç, banues në Katund i Ri, Kurbin, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. S., 41 vjeç, banues në Kurbin.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo.

Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike.

Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit V. H. është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

/vijon…

The post Kthyen magazinë në laborator kanabisi në Kurbin, arrestohen 1 person dhe shpallet në kërkim 1 tjetër appeared first on Abc News.