Mjeku Arban Domi: Ja pse Shqipëria duhet të ndërpresë përkohësisht vaksinimin me Astra Zeneca

Në lidhje direkte me A-Show, mjeku Arban Domi, drejtor i  zhvillimit të vaksinave në Geovax, ka dhënë edhe shpjegimet e tij përse Shqipëria duhet të pezullojë përkohësisht vaksinimin me Astra Zeneca, sa kohë që ky proces është pezulluar edhe nga vende të tjera për shkak të efekteve anësore që ka dhënë në popullatë.

‘Çdo element që lidhet me sigurinë edhe me efikasitetin ndiqet me shumë vëmendje. Megjithatë duhet të analizohet në mënyrë objektive dhe racionale. Nuk jam kundër Astra Zeneca dhe nuk rekomandoj që nuk duhet bërë. Por për momentin diçka duhet të investigohet. Për mendimin tim personal jam plotësisht dakord me numrin në rritje të vendeve që kanë pezulluar provizorisht imunizmin. Kam vënë re në Evropë, por edhe në rastin tonë në Shqipëri, që ka shumë diskutime. Veprimi më i logjikshëm është ndërprerja e fushatës së vaksinimit deri në analizimin e të dhënave. Po flas si specialist.

Në çdo medikament ka një protokoll strikt në të shkruajtur, që gjatë testeve klinike, gjatë testeve pas klinike dhe kur produkti del në treg, ndiqen të gjitha efektet anësore që mund të ndodhin. Dhe në çdo rast të anomalive ndërprite vaksinimi.’