Pas bashkëpunimit me Kastro Zizon, Rea Nuhu shoqëron shqiptarët të shtunave me zërin e saj fantastik

Rea Nuhu është një nga emrat e rinj të muzikës që premton shumë në tregun shqiptar. Ajo u bë e njohur përmes bashkëpunimit me këngëtarin Kastro Zizo, duke u futur tek pesë këngët më të mira të Festivalit “Kënga Magjike”.

E ftuar para disa kohësh në ABC e Mëngjesit, Rea e konsideroi si mikun e saj më të mirë dhe shprehu mirënjohjen e madhe ndaj tij.

“Mund të them me plot gojë që është miku më i mirë që kam unë dhe ai që më ka ndihmuar më shumë në rrugëtimin tim. Ka qenë i pari që mua më ka dhënë një shtysë shumë të madhe dhe më ka njohur shumë më shumë te publiku, përveç këngës që patëm ishte Kastro ai që e bëri të tillë”.

Në vitin 2019, ajo mori sërish pjesë në këtë festival, me këngën “Për mua”, e cila u prit shumë mirë nga publiku.

Ndërsa në dhjetorin që lamë pas, Rea ndryshoi krejt stil dhe zgjodhi një këngë ritmike për të konkuruar në Nota Fest.

Ndërkohë, së fundmi, ajo i është bashkuar bandës së muzikës në programin ‘’Soiree” përgjatë sezonit të dytë. Rea do të jetë këngëtarja që do të shoqërojë shqiptarët çdo të shtunë me zërin e saj fantastik. Së bashku me Simpatiko Band, ajo do t’i mbajë të gjithë mbërthyer përpara ekranit./abcnews.al

 

 

The post Pas bashkëpunimit me Kastro Zizon, Rea Nuhu shoqëron shqiptarët të shtunave me zërin e saj fantastik appeared first on Abc News.