Qielli i Beratit pushtohet nga parashutat

Nga Artan Diko

Është çelur mesditën e sotme në Berat Kampionati Ndërkombëtar i Hedhjes me Parashuta. Në këtë event të rëndësishëm për qytetin e Beratit marrin pjesë 50 garues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria etj, ndërkohë që i pranishëm në këtë garë është edhe kampioni i botës në fuqi në “Hedhjen me Parashuta”, slloveni Matias Luca.

Menjëherë pas fillimit të garimit, qielli i Beratit është mbushur me parashuta të shumta, duke krijuar një atmosferë ndryshe në qytet. Nisja e garës ishte në lartësinë e Malit Partizan dhe pas përfundimit të itinerarit të parashikuar parashutistët u ulën në brigjet e lumit Osum.

Drejtori i Eventeve dhe garave në Federatën e Aereonautikës së Shqipërisë, Alket Islami e ka cilësuar eventin “Berati Open Air” event të rëndësishëm që organizohet për herë të parë në këtë qytet event që-sipas Islamit-do të organizohet çdo vit në muajin Mars në këtë qytet.

“Jemi shumë të kënaqur nga mikpritja dhe organizmi që ka bërë pushteti vendor për këtë event të rëndësishëm botëror. Qëllimi i organizimit të këtë eventi gjatë kësaj fundjavës është ta kthejmë ditën e verës në një festë të madhe të fluturimit. Teknikisht është një garë shumë e vështirë sepse kemi një lum në mes siç është Osumi, i cili është shumë afër vendit të uljes së parashutave dhe kjo shkakton turbolenca e rryma të forta duke e bërë të vështirë për pilotët marrjen e pikës maksimale që është pika zero” tha Alket Islami.

Në përfundim të këtij kampionati, fituesi do të marrë një shpërblim prej 1 mijë eurosh, premio që jepet për të nxitur dhe motivuar ardhjen e sa më shumë pjesëmarrësve me qëllim promovimin e vlerave historike e kulturore të qytetit të Beratit, pjesë e UNESCO-s.

The post Qielli i Beratit pushtohet nga parashutat appeared first on Abc News.