Spahia takim me studentë ekselentë në Shkodër: Programi ynë kthen rininë në Shqipëri

Kandidati i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka zhvilluar ditën e sotme takim me studentë ekselentë në qytetin e Shkodrës.

Gjatë këtij bashkëbisedimi studentët ndanë shqetësimin e tyre për rritjen e tarifave të studimit, mungesën e  mbështetjes nga qeveria si edhe pamundësinë për punësim.

Ndërsa Bardh Spahia shpjegoi se një nga shtyllat kryesore të programit të PD është rinia.

“Oferta e PD është e qartë; anulim i ligjit të arsimit të lartë, financim i plotë i tarifave studentore për familjet me të ardhura nën 640 mijë dhe financim 50% i tarifave për familje me të ardhura mbi 640 mijë. 10 mijë stazhe pune të paguara që të rinjtë të krijojnë njohje dhe përvojë për punësim të përhershëm. Largimi masiv është plagë kombëtare.

Qarku i Shkodrës është i dyti në vend më i prekur. Na duhet të kthejmë shpresën tek të rinjtë. Në lidhje me studentët e mjekësisë dhe infermierisë, ne kemi një ofertë shumë të mirë, pagë 1200 euro për mjekët, 900 euro për specializantët, si dhe pagë 700 euro për infermierët. Lekët nuk do t’i çojmë për koncesionet, por për të pajisur spitalet me infrastrukturën e duhur. Këto masa stimulojnë qëndrimin në vend dhe kthimin e atyre që kanë ikur”, tha Bardh Spahia.

Shqetësimit të studentëve për korrupsionin, Bardh Spahia iu përgjigj duke theksuar domosdoshmërinë e votimit sipas interesit më të mirë të qytetarit. “Me votën tonë ne zgjedhim jo thjesht politikanët, por ata që na administrojnë jetën për 4 vjet”, tha Bardh Spahia.

/abcnews.al/

The post Spahia takim me studentë ekselentë në Shkodër: Programi ynë kthen rininë në Shqipëri appeared first on Abc News.