U nxor në pritë? Pllanaj doli sapo la nënën në banesë, kush ishte telefonata e fundit? I gjenden dy celularë

Kur kanë kaluar dy ditë nga ekzekutimi me mbi 100 plumba i Bardhok Pllanajt apo i njohur ndryshe si “Kumbari i Shkodrës”, policia ende nuk ka të dyshuar. Ndërkohë detaje të reja kanë dalë në skenë, ku ABC mëson se Pllanajt i janë gjetur dy celularë në makinën e tij, por ende nuk janë hapur për shkak se Pllanj i mbante me kod.

Të njëjta burime bëjnë me dije se Pllanaj mund të jetë nxjerrë në pritë, prandaj autoritetet po punojnë për hapjen e celularëve të tij për të parë telefonatën e fundit dhe për të hedhur dritë rreth ekzekutimit të tij.

Lexo edhe:Ekzekutohet “Kumbari” i Shkodrës

Bardhok Pllanaj mendohet të ketë dalë nga banesa e tij në Dobraç rreth orës 21:00, duke u nisur për në fshatin Shoje. Ai sapo kishte lënë familjen në banesë, pasi kishte pasur nënën e tij në spitalin e Shkodrës. Por vetëm pak minuta më pas autorët me një automjet tip “Passat” kanë hapur zjarr me breshëri ndaj tij. Pllanaj është munduar të shpëtojë duke i dhënë gaz makinës, por ka përfunduar duke u përplasur me një mur anësor në oborrin e një biznesi. Sipas burimeve ndaj Pllanjat janë qëlluar mbi 130 plumba duke mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi. Tre prej plumbave kanë qenë fatal, pasi njëri e ka kapur në kokë ndërsa dy të tjerë në zemër.

Ajo që shton dyshimet se Pllanaj mund të jetë nxjerrë në pritë, është edhe fakti se orari kur ai u ekzekutua është në orën policore të vendosur për shkak të koronavirusit. Autorët kanë vendosur të zgjedhin këtë orar pa lëvizje njerëzish në mënyrë që të humbisnin më lehtë gjurmët.

Lexo edhe: VIDEO-Ekskluzive/ Pritë në errësirë dhe breshëri kallashi, si u ekzekutua “kumbari” i Shkodrës

Vetëm pak pas ngjarjes, jo shumë larg vendit të krimit, autorët kanë djegur makinën e tyre tip “Passat” e cila rezulton të jetë e vjedhur në Tiranë, më 29 shkurt 2020, ku në atë kohë edhe u denoncua nga pronari. Nga verifikimet ka rezultuar se autorët i kishin ndërruar targat e këtij mjeti para se të kryhej krimi. Pas vrasjes makina u gjet e djegur brenda së cilës ndodheshin 2 armë zjarri automatike model 56, 4 krehër dhe 18 gëzhoja.
46-vjeçarin Bardhok Pllanaj, i cilësuar si “Kumbari” i Shkodrës është një emër i njohur për policinë. Ai së fundmi ka qenë subjekt i OFL-së si një person i në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.

Pllanaj po ashtu ka qenë edhe në gjykim në dhjetor 2018 për “pastrim parash”, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘ndërtim pa leje’. Në dhjetor të vitit 2018 Pllanaj u arrestua nën akuzën e “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Ndërtim pa leje”.

Pllanaj pas një hetimi disa mujor, prej disa vitesh kishte filluar ndërtimin për qëllime përfitimi të një objekti 10-katësh pa u pajisur me lejet përkatëse të lëshuara nga organet kompetente.
Gjatë hetimeve të kryera asokohe rezultoi se objekti i ndërtuar nga Pllanaj ishte financuar nga të ardhura që dyshohet që kishin ardhur si rrjedhojë e aktivitetit kriminal që kishte kryer Pllanaj më parë.

Për këtë arsye iu vendos dhe masa e sigurimit pasuror me vendim gjykate “Sekuestro preventive”, në bazë të Urdhrit të Ekzekutimit Vendimit Penal nr.1169 datë 29.11.2018, për pallatin 10- katësh në qytetin e Shkodrës në pronësi të tij, dhe që kapte vlerën 2 milion Euro.

Në tetor të 2019 Pllanaj theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që ishte marrë ndaj tij, duke u larguar në drejtim të Lushnjes, aty ku sërisht u arrestua Bardhok Pllanaj nën akuzën e “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes.
Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku. Në atë kohë, deputeti Frroku ka mohuar të ketë ndihmuar Pllanajn t’i shmangej arrestimit, por në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut shkruhej se i dyshuari në survejim prej tyre ka lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit.E.L /abcnews.al/

The post U nxor në pritë? Pllanaj doli sapo la nënën në banesë, kush ishte telefonata e fundit? I gjenden dy celularë appeared first on Abc News.